Tonali zbulon prapaskenat e transferimit 100 milionësh te ‘Spurs’

Tonali zbulon prapaskenat e transferimit 100 milionësh te ‘Spurs’

Sandro Tonali ka folur për transferimin e tij të bujshëm nga Newcastle United te Tottenham Hotspur, duke zbuluar se vendimi për të kaluar te skuadra londineze u mor shumë shpejt pas një takimi me trajnerin Roberto De Zerbi.

Mesfushori italian, i cili u bë blerja rekord e Tottenhamit me një vlerë prej 100 milionë funtesh, ka treguar se vizioni dhe filozofia e lojës së De Zerbit e bindën se “Spurs” ishin zgjedhja e duhur për të ardhmen e tij.

Tonali u shpreh se, pavarësisht situatës së vështirë sportive të Tottenhamit në sezonet e fundit, ai besoi te projekti i ri i klubit dhe vendosi të bashkohej me skuadrën londineze.

“Gjëja e parë ishte të siguroja marrëveshjen më të mirë për Newcastle. Kam takuar disa prej njerëzve më të mirë në futboll. Ata e duan futbollin dhe jetojnë për të. Kur vendosa të largohesha, i thashë agjentit tim dhe Ross Wilson se doja marrëveshjen më të mirë për Newcastle, sepse ata e meritojnë gjithçka”, ka deklaruar Tonali.

Largimi i tij vjen në një periudhë ndryshimesh të mëdha te Newcastle, pasi përveç Tonalit, klubin e kanë lënë edhe Anthony Gordon, Bruno Guimarães dhe trajneri Eddie Howe.

Mesfushori italian ka theksuar se një rikthim në Serie A ishte praktikisht i pamundur, pasi klubet italiane nuk kishin mundësi financiare për të përballuar një transferim të tillë.

“Pas tre vitesh në Newcastle, unë dhe familja ime folëm së bashku. Ishte e pamundur për shkak të parave. Për pagën mund të diskutosh gjithmonë, por nëse nuk gjen paratë për transferimin, nuk ke mundësi të lëvizësh”, ka shtuar ai.

Tonali bëri të ditur se kishte biseduar me dy klube përpara se të vendoste për Tottenhamin dhe se pas takimit me drejtuesit e klubit londinez e kuptoi shpejt se kjo ishte zgjedhja e duhur.

“Pas 10-15 minutash e kuptova se Tottenham do të ishte skuadra ime e ardhshme”, tha italiani.

Ndërkohë, Newcastle United po përgatitet për një rindërtim të madh pas një vere të trazuar. Sipas raportimeve, Matthias Jaissle, aktualisht trajner i Al-Ahli, pritet të emërohet pasues i Eddie Howe në ditët e ardhshme.

Share This