Përplasje në FC Basel: Shaqiri kritikon trajnerin Magnin pas barazimit me Kopenhagenin

Përplasje në FC Basel: Shaqiri kritikon trajnerin Magnin pas barazimit me Kopenhagenin

Barazimi 1:1 ndaj FC Copenhagen në ndeshjen e parë të “play-off”-it për Ligën e Konferencës ka lënë FC Basel-in nën presion, por jo vetëm rezultati ka bërë bujë.

Kapiteni Xherdan Shaqiri dhe trajneri Ludovic Magnin kanë shkëmbyer kritika publike pas përjashtimit me karton të kuq të mbrojtësit Jonas Adjetey.

Shaqiri ka dalë hapur kundër vendimit të trajnerit për të mos e zëvendësuar Adjetey, i cili ishte ndëshkuar herët me karton të verdhë.

“Në raste të tilla duhet të reagosh ndryshe, ndoshta ta zëvendësosh më herët. Nëse një lojtar ndëshkohet herët me të verdhë, rreziku që të përjashtohet është më i madh. Duhet të mësojmë nga kjo”, deklaroi kapiteni për “blue Sport”.

Trajneri Magnin reagoi me qetësi dhe ironi ndaj kritikave.

“E kam parë që Shaq ka filluar kursin për trajner, por është ende në fillimet e karrierës së tij. Ka ende shumë për të mësuar”.

Ai mbrojti vendimin për të mos e larguar nga loja Adjetey, duke theksuar se nuk e kishte parë në rrezik serioz.

“Një karton i verdhë për një qendërmbrojtës nuk është gjë e pazakontë. Në fund ndodhi një situatë e pafat, por do ta bëja sërish njësoj”, u shpreh Magnin për “Blick”.

Megjithëse tensionet u bënë publike, trajneri insistoi se raporti i tij me Shaqirin mbetet i mirë.

“Gjithçka është sqaruar prej kohësh. Ju e njihni raportin tim me Shaqirin – nuk kemi asnjë problem”, tha ai duke buzëqeshur.

Ky episod ka ngjallur debat të madh në opinionin sportiv zviceran dhe tregon se presioni në FC Basel është i lartë para ndeshjes së kthimit, ku jo vetëm kualifikimi, por edhe stabiliteti brenda skuadrës do të jenë në provë.

Share This