
Moment i artë për Jasharin, nga stoli në qendër të mesfushës së Milanit
Ardon Jashari po përjeton javët më të rëndësishme të sezonit me AC Milan.
Mesfushori shqiptar ka luajtur 164 minuta në dy ndeshjet e fundit ndaj Como dhe Parma, pothuajse aq sa kishte grumbulluar në gjithë pjesën tjetër të sezonit në Serie A (205 minuta).
Nëse paraqitet edhe kundër Cremonese, ai do të tejkalojë brenda dy javësh minutazhin e tij gjashtëmujor me kuqezinjtë.
Lëndimi i Ruben Loftus-Cheek ka ndryshuar balancat në mesfushë, ndërsa konkurrenca me emra si Luka Modric, Adrien Rabiot, Youssouf Fofana dhe Samuele Ricci ka qenë e fortë gjatë sezonit.
Megjithatë, në ndeshjet e fundit, trajneri ka bërë lëvizje taktike për t’i hapur hapësirë Jasharit. Modric është tërhequr më prapa, duke i krijuar shqiptarit mundësinë të luajë në një rol më qendror dhe më ndikues.
Gjithçka tregon se mesfushori i ri po fiton besimin dhe është gati të shfrytëzojë shansin për t’u kthyer në një nga alternativat kryesore të Milanit në vazhdim të sezonit.


