
Memli Krasniqi u bën thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje masive në protestën e 13 dhjetorit në Shkup
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi theksoi se protestat për drejtësi për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë jehonë në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa tani po shtrihen edhe në Shkup.
“Pas Prishtinës dhe Tiranës, këtë të shtunë, jehona për drejtësi e shqiptarëve do të ngrihet fuqishëm edhe në Shkup. Më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, bashkohen zërat nga të gjitha trojet për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe luftën e drejt të UÇK-së”, ka shkruar ai.
Krasniqi e cilësoi protestën si një kauzë të përbashkët mbarëkombëtare, duke bërë thirrje për unitet dhe pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve.
“Një protestë gjithëkombëtare, një kauzë e përbashkët. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, përfundoi ai.

