
Zulfaj në Bled: Kosova synon statusin kandidat në BE
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në mëngjesin e punës për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit.
Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka bërë të ditur se takimi është organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Sllovenisë, Tone Kajzer, ku kanë marrë pjesë edhe ministrat e punëve të jashtme dhe të integrimit evropian të vendeve të rajonit.
“Diskutuam për procesin e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe çështjet me interes të përbashkët për rajonin. Theksova prioritetin tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Zulfaj, raporton rtk.
Sipas tij, Republika e Kosovës ka dëshmuar avancim në demokraci, fuqizim të sundimit të ligjit dhe zhvillim ekonomik, është plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe mbetet e palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave evropiane të mishëruara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.
“Avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE është në interes të BE-së dhe të rajonit. Do të bashkëpunojmë me Slloveninë për të avancuar anëtarësimin tonë në BE”, shtoi Zulfaj.

