
Sulmet ruse godasin Ukrainën gjatë natës, vriten 12 persona, dhjetëra të plagosur
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe një shtetas indian, pas sulmeve ruse gjatë natës në Ukrainë.
Dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Lajmin e bëri të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të vendit. Sipas Zelenskyt, sulmet kanë lënë gjithashtu mijëra familje pa energji elektrike në rajonin e Odesës.
Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se një pikë kalimi kufitar me Rumaninë është “dëmtuar qëllimisht” gjatë sulmeve.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase po përballen me pasojat e një serie sulmesh ruse të intensifikuara gjatë ditëve të fundit. Sulmet kanë përfshirë edhe bombardime gjatë ditës, ndërsa Moska ka vijuar goditjet ndaj infrastrukturës dhe zonave të banuara.
Kievi është vënë në shënjestër për gjashtë ditë radhazi, në atë që autoritetet ukrainase e kanë përshkruar si një përpjekje për të dobësuar më tej vendin pas më shumë se katër vitesh luftë. Ekipet e emergjencave vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimin e dëmeve, raporton RTSH.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Ukraina vijon të përballet me sulme të përsëritura ajrore në disa rajone.

