
Hoti nuk merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, qëndrimi i tij për Sejdiun mbetet i njëjtë
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, nuk është parë duke hyrë në mbledhjen e Kryesisë së partisë, e cila është zhvilluar sot për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Hoti ka konfirmuar se qëndrimi i tij i bërë publik një ditë më parë nuk ka ndryshuar.
“E kam bërë publik qëndrimin tim”, ka deklaruar Hoti.
Një ditë më parë, kur ishte pyetur nëse do ta mbështeste kandidaturën e Bekim Sejdiut për President, Hoti ishte përgjigjur shkurt: “Jo”.
Më pas, përmes një postimi në Facebook, ai kishte sqaruar se nuk e mbështet këtë kandidaturë për arsye personale, por për shkak të një parimi politik dhe institucional.
Sipas Hotit, Presidenti i Republikës duhet të jetë një figurë unifikuese, ndërsa kandidatura e propozuar, sipas tij, nuk e përmbush këtë kriter.
Ndërkohë, LDK-ja ka bërë të ditur se Kryesia e partisë e ka mbështetur me unanimitet të plotë nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
Në deklaratën e publikuar nga partia thuhet se Kryesia, pas shqyrtimit të çështjes, ka miratuar marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së dhe ka mbështetur kandidaturën e Sejdiut.
LDK-ja ka theksuar se ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të partisë dhe se është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së dhe procedurat vendimmarrëse të subjektit.
Partia ka vlerësuar gjithashtu se ky vendim lidhet me përgjegjësinë e LDK-së për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.

