
Memli Krasniqi dënon thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut: Heshtja është miratim i gjuhës së urrejtjes
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve skandaloze antishqiptare që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, ku në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe delegacionit qeveritar u brohorit: “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”.
Krasniqi i cilësoi këto thirrje si të rënda, të papranueshme dhe thellësisht të dëmshme për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe përtej saj.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike dhe europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë,” deklaroi ai.
Kreu i PDK-së kërkoi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist dhe paralajmëroi se çdo formë e heshtjes institucionale ndaj urrejtjes konsiderohet si miratim i saj.
Ai hodhi akuza edhe në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, duke e konsideruar si “kumbara” të qeverisë aktuale në Shkup dhe duke theksuar përgjegjësinë morale dhe politike për klimën antishqiptare që, sipas tij, po thellohet dita-ditës.
“Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës. Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit!” – theksoi Krasniqi në reagimin e tij.
Ai përmbylli deklaratën duke theksuar se shqiptarët nuk do të lejojnë që kontributi dhe sakrifica e tyre për shtetin maqedonas të nëpërkëmbet nga askush.


