
Maqedonci pret zyrtaren e NATO-s, diskutohet për sfidat e sigurisë dhe rolin e Aleancës në rajon
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim drejtoreshën për Operacione në Divizionin Operativ të Shtabit Ndërkombëtar të NATO, Charlotte Hallengren.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë, rëndësinë e koordinimit ndërmjet partnerëve strategjikë, si dhe për rolin kyç që NATO vazhdon të luajë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Aleanca i ka dhënë Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
“Mbështetja e NATO-s është thelbësore për avancimin e sigurisë dhe forcimin e institucioneve tona të mbrojtjes”, citohet të ketë thënë Maqedonci.
Në anën tjetër, Hallengren riafirmoi përkushtimin e NATO-s për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën dhe për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lartë partneritetin ekzistues, duke theksuar nevojën për koordinim të mëtejshëm përballë sfidave të reja të sigurisë. /Rekordi.net


