Shtëpia e Bardhë: Irani paraqiti dy propozime, një “joserioz” dhe një “i realizueshëm”

Shtëpia e Bardhë: Irani paraqiti dy propozime, një “joserioz” dhe një “i realizueshëm”

Shtëpia e Bardhë ka dhënë detaje të reja mbi zhvillimet e fundit në raportet mes SHBA-së dhe Iranit, duke bërë të ditur se Teherani ka paraqitur dy propozime të ndryshme për negociata.

Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se plani i parë, një dokument me 10 pika, u konsiderua nga administrata amerikane si “joserioz, i papranueshëm dhe plotësisht i hedhur poshtë”.

Megjithatë, sipas saj, në orët e fundit para afatit të vendosur nga presidenti Donald Trump, Irani paraqiti një propozim të dytë, të cilin ajo e cilësoi si “më të arsyeshëm dhe të realizueshëm” për të vijuar negociatat.

Leavitt bëri të ditur se ky plan i ri shihet nga Uashingtoni si një bazë e përshtatshme për diskutime intensive, duke shtuar se ai mund të harmonizohet me propozimin prej 15 pikash të administratës amerikane. Ajo sugjeroi gjithashtu se ka një dallim mes deklaratave publike të Iranit dhe qëndrimeve që ai mban në bisedimet private.

Negociatat pritet të nisin këtë fundjavë në Islamabad dhe do të zhvillohen me dyer të mbyllura, me synimin për të arritur një marrëveshje të përbashkët.

Në përfundim, Leavitt theksoi se “vijat e kuqe” të SHBA-së mbeten të pandryshuara, duke përfshirë kërkesën kryesore për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit nga Irani. /rtsh/

Share This