“La Repubblica”: SHBA-ja paralajmëron Evropën për Groenlandën: Beteja jonë është e vërtetë

“La Repubblica”: SHBA-ja paralajmëron Evropën për Groenlandën: Beteja jonë është e vërtetë

Kërcënimet për marrjen e kontrollit te Groenlandës nga SHBA-ja, vazhdojnë të tronditin marrëdhëniet transatlantike, sipas “La Repubblica”.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se do të udhëtonte në Zvicër këtë javë për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, Davos.

Dhe ndërsa tema e takimit të Davosit të këtij viti, “Fryma e Dialogut”, mund të duket satirike, evropianët nuk e kanë humbur shpresën për të parandaluar aneksimin e ishullit më të madh në botë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të takohet me presidentin amerikan, Trump në Zvicër, ndërsa ish-kryeministri holandez zhvilloi dje një bisedë telefonike me shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, për të diskutuar mosmarrëveshjen mbi Groenlandën, që kërcënon t’i japë fund NATO-s përgjithmonë.

Tetë vende evropiane të kërcënuara nga një valë e re tarifash amerikane paralajmëruan dje për “një spirale të rrezikshme”, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron kërcënoi me kundërmasa të ashpra.

Por, një nga zëvendësit e Trump, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e fyeu sërish Evropën.

“Ne jemi të fortë, ju jeni të dobët. Beteja për Arktikun është reale”, tha Bessent.

“Për të ndërtuar mburojën e tij gjigante antiraketë, “Kupolën e Artë”, Trump kërkon të sigurojë kontrollin e ishullit Arktik për arsye sigurie”, tha zyrtari amerikan.

Megjithatë, brenda partisë së Trump dhe Bessent, kërcënimi për të përdorur forcën ushtarake për të pushtuar ishullin danez po shkakton pakënaqësi në rritje.

“Unë nuk parashikoj një ndërhyrje ushtarake në Groenlandë”, tha më herët për BBC, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

“Rruga diplomatike, është ajo që duhet ndjekur”, tha ai.

Kolegët e tjerë republikanë kanë shprehur gjithashtu zhgënjim për përçarjen me aleatët e NATO-s dhe luftën e re tregtare të kërcënuar nga Shtëpia e Bardhë.

Përfaqësuesi Don Bacon i quajti kërcënimet e Trump “një farsë”, ndërsa kolegët e tij të partisë, Thom Tills dhe Lisa Murkokowski, i dënuan tarifat si “masat më të këqija” për Amerikën, bizneset amerikane dhe aleatët e Amerikës.

Një iniciativë dypartiake është nisur gjithashtu në Senat. Senatori demokrat, Tim Kaine dhe senatori republikan, Rand Paul do të paraqesin dy rezoluta për të bllokuar Trump.

Ndërkohë, evropianët po demonstrojnë unitet dhe koordinim: një takim i ambasadorëve nga 27 shtetet anëtare zbuloi plane për të përgatitur kundërmasa që arrijnë në 93 miliardë euro ose për të futur kufizime aktuale në tregun evropian për kompanitë amerikane.

Tetë vendet e prekura nga kërcënimet tarifore për dërgimin e trupave në Groenlandë, Britania e Madhe, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Suedia kanë paralajmëruar Trump për rrezikun e “një spiraleje të rrezikshme”.

Ato po tregojnë unitetin e tyre në prag të një jave në të cilën Parlamenti Evropian pritet të miratojë marrëveshjen tregtare të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Aleanca Atlantike dhe rendi botëror janë në rrezik”, tha Danimarka, përmes ministrit të saj të Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen.

Dje, qeveritë evropiane lëshuan deklarata solidariteti me Danimarkën, por përgjigjet e tyre ndaj Trump ishin të një natyre tjetër.

Presidenti francez, Emmanuel Macron kërcënoi përsëri me hakmarrje të ashpër, por patrulla e vogël që Gjermania dërgoi në Groenlandë për të sinjalizuar gatishmërinë e saj për të mbrojtur Arktikun tani është kthyer në vend. /atsh/

Share This