
Nëntë të vdekur dhe pesë të plagosur nga një shpërthim në një fabrikë ruse
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një fabrikë në qytetin Kopeysk, në rajonin e maleve Ural, raportoi sot agjencia ruse e lajmeve “TASS”, duke cituar guvernatorin e Çeljabinskut, Alexey Teksler.
Pretendimet se një dron kishte goditur fabrikën nuk u konfirmuan menjëherë. Në një postim në Telegram, Teksler nuk dha detaje për llojin e fabrikës, por raportet lokale sugjerojnë se objekti prodhonte municione për ushtrinë ruse.
Kopeysk ndodhet rreth 2 000 kilometra larg nga Ukraina dhe pranë kufirit të Rusisë me Kazakistanin.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kievi ka përdorur gjithnjë e më shumë dronë për të goditur fabrika dhe objekte energjetike në thellësi të territorit rus. Shërbimet ukrainase të zbulimit dyshohet gjithashtu se kanë kryer akte sabotimi ndaj industrisë së armëve në Rusi. /atsh/


