Kuvendi miraton 18.6 milionë euro për forcimin e shëndetësisë

Kuvendi miraton 18.6 milionë euro për forcimin e shëndetësisë

Forcimi i shëndetësisë do të mundësohet përmes kredisë në vlerë prej 18.6 milionë euro në kuadër të marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas”, e cila u miratua në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

103 deputetë votuan për, teksa ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se kjo kredi ka afat financimi prej 30 vjetësh dhe se do të mundësojë forcimin e kapaciteteve shëndetësore dhe zhvillimin e sistemit informativ.

Miratohet kredia prej 629 milionë euro nga BE për Kosovën

Një kredi prej 629 milionë euro Kosova do t’i marrë nga Komisioni Evropian, si përkrahje ndaj Ballkanit Perëndimor për reforma dhe rritje.

Deputetët e miratuan edhe marrëveshjen e kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”  me 98 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenime.

“Në kuadër të reformave janë ato për administratë publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastruktura, politikat dekabornizimit, efiçienca e energjisë, arsimi, tregu i punës dhe sundimi i ligjit. Ndërkaq vlera totale e kredisë është 629 milionë euro, ku 34.75% e disbursimit do të transferohet në kornizën e Ballkanit Perëndimor ndërkaq pjesa tjetër si mbështetje buxhetore”, shpjegoi ministri i Financave, Hekuran Murati.

90.3 milionë euro nga marrëveshja ndërkombëtare që u miratua në Kuvend

Marrëveshja e dytë ndërkombëtare që deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan u bë ajo e financimit të politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim e cila është pjesë e Bankës Botërore.

103 deputetë votuan pro, asnjë kundër dhe pesë abstenuan. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo marrëveshje u nënshkrua në prill të vitit 2024, e që përfshin 90.3 milionë euro.

“Shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrimet në raport me Bankën Botërore…Kjo marrëveshje ka kushtet më të mira ndonjëherë sa i përket financimit sepse bëhet me afat maturiteti 12 vjeçar, por me normë interesi 0%.

Kuvendi miraton marrëveshjen me BE-në, Kosova përfiton 882.6 milionë euro

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.

Nga 108 deputetë, 104 votuan pro, asnjë kundër dhe 5 abstenuan.

Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të marrëveshjes, tha se 1/3-ta e këtyre mjeteve është grant. Nga shuma e përgjithshme rreth 253.3 milionë janë grante ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë

“Në kuadër të këtij plani apo marrëveshje parashihet që Kosova të përfitojë një pako prej 882,6 milionë eurove, e cila mund të them se është alkimi më i madhi në raport me bruto produktin vendor. Pra është rreth 7% e bruto produktit vendor që i është flokuar Kosovës”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe grupit multietnik me deklarimet e tyre shprehën përkrahjen e tyre ndaj kësaj marrëveshje ndërkombëtare.

“Ne kërkojmë plan sepse një pjesë është kredi, tjetra është grant. Ne duam të dimë ku shkojnë këto para”, tha Besnik Tahiri i AAK-së drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq ai iu kundërpërgjigj, duke dhënë në mënyrë të detajuar aspektin ligjor se në çka mund të shpenzohen këto mjete. /rtk/

Share This