
Procesi në Hagë, Alagendra gjykatësve: Shpallni të pafajshëm Krasniqin
Venkateswari Alagendra, që bën pjesë në ekipin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit gjatë fjalës përfundimtare ka kërkuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara në Hagë që të shpallin të pafajshëm Jakup Krasniqin, bazuar në provat në dispozicion.
“Ekziston vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj, Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do ju bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që mbështetur në provat në dispozicion të shpallni të pafajshëm Krasniqin, ta lejoni këtë zotëri 75 vjeçar të kthehet në familjen e vetë, dhe t’i kalojë vitet që i ka caktuar zoti t’i kalojë me familjen e vetë”, tha ndër të tjera ajo.
Alagendra kërkoi nga gjykatësit që kur t’i shqyrtojnë provat e paraqitura nga prokuroria në këtë proces gjyqësor të mos harrojnë, siç tha ajo faktet thelbësore.
“Në të gjitha këto 34 muaj gjykimi, nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Jakup Krasniqi e ka rrahur apo torturuar qoftë person civil apo person tjetër. Nuk ekziston qoftë edhe një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të intervistuar nga prokuroria për shumë e shumë vite, që pretendojnë ose e akuzojnë Jakup Krasniqin që i ka rrahur, abuzuar ose që ka qenë i pranishëm ku ata janë keqtrajtuar”, tha ajo.
Alagendra tha se aktakuza nuk do të duhej të ishte ngritur fare.
“Ky është një gjyq, nuk është një forum që palët të flasin palidhje. Prokuroria nuk duhet t’i bëjë akuzat nëse nuk ka prova solide. Prokuroria ka detyrimin pozitiv që të tërheqin pretendimin ose akuzat e tyre në momentin kur nuk kanë prova për t’i mbështetur ato. Nuk është kjo puna e prokurorisë që thjesht t’i hedhin fjalët sikur akuzat të mos kishin asnjë lloj vlere, e të bëjnë sikur asgjë nuk a ndodhur”, deklaroi tutje ajo gjatë fjalës përfundimtare.
Tutje, Alagendra tha se prokuroria nuk duhej të ngrinte aktakuza për çështje të cilat, sipas saj, nuk janë mbështetur në gjykim.
“Ne jemi besimplotë që ju të nderuar gjykatës do të analizoni provat aktuale dhe gjithë dokumentacionin e gjithë çështjes gjyqësor e do ta shpallni z. Krasniqi jo përgjegjës për të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria”, tha ajo.
Sipas Venkateswari Alagendra ka përpjekje të përsëritura nga prokuroria për të lidhur Jakup Krasniqin me krime.
“Ne parashtrojmë që këto përpjekje të prokurorisë kanë dështuar. Ju kërkojmë të nderuar gjykatës që të keni parasysh përdorimin të spekulimeve dhe është e rëndësishme që të bëhet vlerësimi i plotë i saj. Në të gjithë dosjen e prokurorisë nuk ka marrëdhënie që ekzistojnë midis pjesëve të palidhura të provave të cilat bëhen baza për lidhjet me ngjarje që nuk kanë pikë lidhje”, vijoi ajo.
Sipas saj, emri i Jakup Krasniqit përdoret për ngjarje, apo incidente ku ai nuk ka fare lidhje.
“Një element tjetër i çuditshëm në dosjen e prokurorisë është se në mënyrë të vazhdueshme i mbyllë sytë para çdo prove që nuk i përshtatet narratives së prokurorisë. Prokuroria as nuk e pranoi ekzistencën e provave shfajësuese”, deklaroi , Alagendra. /rtk/


