Gjykimi ndaj Thaçit për administrim të drejtësisë, mbrojtja nuk do të paraqesë deklaratë hyrëse

Gjykimi ndaj Thaçit për administrim të drejtësisë, mbrojtja nuk do të paraqesë deklaratë hyrëse

Në rastin ku Hashim Thaçi së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtja e Thaçit ka njoftuar se në fillim të gjykimit, nuk do të japë deklaratë hyrëse.

Këtë njoftim, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon e ka bërë të ditur përmes një parashtrimi të datës 2 shkurt 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Megjithatë, mbrojtja ka njoftuar se e rezervon të drejtën për të dhënë një deklaratë hyrëse pas përfundimit të çështjes nga ana e Prokurorisë dhe para hapjes së çështjes së tyre.

Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar më 27 shkurt 2026.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Share This