
Dita e gjashtë, protestë në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
Qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në sheshin e Prishtinës, në ditën e gjashtë të protestës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
Në mesin e protestuesve ka folur edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i cili në fjalimin e tij ka theksuar se tubimet do të vazhdojnë dhe se kërkesat e protestuesve lidhen me veprimin institucional të institucioneve të Kosovës.
Haziri, i cili është edhe djali i një dëshmori të luftës së UÇK-së, ka nisur fjalimin duke iu drejtuar protestuesve si “vëllezër dhe motra”, duke vënë theksin te fakti se kjo ishte nata e gjashtë e protestës. “Sonte është nata e gjashtë. Gjashtë net këtu, në këtë shesh. Gjashtë net që po vijmë, pa u lodhur, pa u ndalur. Dhe sonte, nga Haga, na erdhi një mesazh. Presidenti Hashim Thaçi, nga atje ku po mbahet, na ka dërguar të fala. Na ka falënderuar për qëndresën tonë në këtë shesh dhe ka thënë se ju, qytetarët që po vini këtu natë pas nate, jeni bërë zë i fuqishëm kundër padrejtësisë”, tha ai, raporton rtk.
Haziri ka thënë se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa e ka përmbyllur fjalimin me thirrje për Kosovën, UÇK-në, dëshmorët dhe drejtësinë.

