
Kurti: Kosova ka shënuar përparimin më të madh në botë për mirëqenien e qytetarëve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit nga Qendra amerikane e Kërkimeve Gallup, e cila ka matur perceptimin e mirëqenies në vende të ndryshme të botës.
Sipas tij, Kosova ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në Indeksin e Vlerësimit të Jetës, duke kaluar nga 11% në vitin 2014 në 51% në vitin 2024, në mesin e qytetarëve që thonë se “jetojnë mirë”.
“Në Indeksin e Vlerësimit të Jetës të Gallup të këtij viti, Kosova dallohet si vendi me rritjen më të madhe të mirëqenies së raportuar,” shkroi Kurti në platformën X, duke e cilësuar këtë si një arritje të madhe dhe tregues të një transformimi socio-ekonomik.
Ai shtoi se në vitin 2014 vetëm 11% e popullsisë raportonte përparim, ndërsa tani shifra ka arritur mbi gjysmën e qytetarëve.
Kurti theksoi se qeveria është krenare që ka krijuar, sipas tij, “një mjedis të përshtatshëm për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.


