Kosovë-Zvicër, ja formacionet zyrtare

Kosovë-Zvicër, ja formacionet zyrtare

Kombëtarja e Kosovës ka publikuar formacionin zyrtar për ndeshjen vendimtare ndaj Zvicrës, që zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përballja e fundit në Grupin B ka peshë të madhe, megjithëse gjasat për kualifikim direkt janë minimale, pasi Kosovës i nevojitet një fitore me gjashtë gola dallim për ta kaluar Zvicrën dhe siguruar biletën për Botërorin 2026.

Përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur të lërë dy lojtarë të rëndësishëm në tribunë – Albian Hajdarin dhe Leon Avdullahun – për shkak të rrezikut nga kartonët e verdhë, duke i ruajtur kështu për ndeshjet e ‘play-off’-it. Ky vendim sjell tri ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Sllovenisë.

Në mbrojtje, Fidan Aliti rikthehet në vend të Hajdarit, ndërsa në mesfushë starton Veldin Hoxha përkrah Elvis Rexhbecajt. Ndërkohë në portë rikthehet Arijanet Muric, i cili zëvendëson Amir Saipin.

Kosova do të luajë me skemën 3-5-2, që në fazë sulmuese mund të shndërrohet në 3-4-3. Muric mbron portën, ndërsa në vijën e mbrojtjes rreshtohen Fidan Aliti, Amir Rrahmani – kapiten – dhe Lumbardh Dellova. Krahët i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha përbëhet nga Veldin Hoxha, Elvis Rexhbecaj dhe Florent Muslija, ndërsa sulmi udhëhiqet nga Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.

Në anën tjetër, Zvicra zbret në fushë me Granit Xhakën në qendër të mesfushës, ndërsa trioja sulmuese përbëhet nga Manzambi, Vargas dhe Embolo.

Formacionet zyrtare:

Kosova: Muric; Aliti, Dellova, Rrahmani; Vojvoda, Hoxha, Rexhbeçaj, Muslija, Gallapeni; Muriqi, Asllani.

Zvicra: Kobel; Widmer, Elvedi, Akanji, Rodriguez; Sow, Xhaka, Aebischer; Vargas, Embolo, Manzambi.

Në pritje të një sfide të fortë, “Dardanët” synojnë një paraqitje dinjitoze dhe rezultat që do t’i mbajë të motivuar për fazën e ‘play-off’-it.

Share This