
Kongresisti Self në Preshevë: Ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, do shkojmë në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe
Kongresisti amerikan, Keith Self nga radhët e republikanëve ka thënë se gjatë vizitës që kanë zhvilluar në Serbi kanë parë se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.
Ai kështu është shprehur të hënën pas takimit që ka zhvilluar me udhëheqësit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve, transmeton KK.
Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicës, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
Ai ka thënë se diskriminimi dhe standardet e dyfishta ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të marrin fund.

