Flakët i afrohen Bordos, situatë e paprecedentë nga zjarret në Francë, vijojnë evakuimet

Flakët i afrohen Bordos, situatë e paprecedentë nga zjarret në Francë, vijojnë evakuimet

Zjarret e mëdha pyjore po përparojnë drejt periferisë së qytetit historik të Bordeaux në jugperëndim të Francës, ndërsa Franca dhe Spanja po përballen me flakë që kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra banorëve.

Rreth 220,000 persona janë evakuuar në Francë, ndërsa zjarret kanë përfshirë gadishullin Cap Ferret në bregun e Atlantikut, një destinacion i njohur turistik, dhe janë përhapur në zonat përreth Bordeaux-së, ku zjarrfikësit po përpiqen të pengojnë flakët të arrijnë në qytet.

Zjarrfikësit ndezën një kundërzjarr për të hequr bimësinë përpara një zjarri të egër, duke krijuar një zonë tampon pa lëndë djegëse në Marcheprime, në perëndim të Bordeaux.

Kryetari i Bashkisë së Bordeaux-së, Thomas Cazenave, tha se zjarri ndodhej rreth 15 kilometra larg hyrjeve kryesore të qytetit.

“Po përballemi me një zjarr që nuk është nën kontroll dhe që po lëviz në drejtim të zonës urbane të qytetit,” deklaroi Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, për televizionin France 2 të dielën në mbrëmje. “Situata e përgjithshme është shumë e pafavorshme. Jemi përballë një situate të paprecedentë.”

Më herët gjatë ditës, Cazenave tha se nuk kishte plane për evakuimin e Bordeaux-së, zona metropolitane e së cilës ka rreth 850,000 banorë. Ndërkohë, Nuñez theksoi se autoritetet do të vazhdojnë të vlerësojnë situatën me qetësi dhe realizëm.

Ndërsa zjarri përparonte, policia shkoi derë më derë gjatë natës në komunat Marcheprime dhe Cestas, duke evakuuar banorët njëri pas tjetrit. Autoritetet franceze publikuan pamje ku shihen efektivët duke trokitur në dyert e shtëpive në errësirë dhe duke u kërkuar njerëzve të largohen.

Në Spanjë, Kryeministri Pedro Sánchez vizitoi zonat e goditura nga zjarret në provincën Ávila, një nga tre provincat qendrore të prekura rëndë, së bashku me Madridin dhe Toledon.

Flakët kanë shkatërruar më shumë se 50,000 hektarë tokë në Ávila, duke e bërë këtë zjarrin më të madh në historinë e fundit të Spanjës, sipas Ministres së Mjedisit, Sara Aagesen. /rtsh/

Share This