
Aksident tragjik në Belgjikë, treni përplas autobusin e shkollës – të paktën katër viktima
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur këtë të martë në Belgjikë, ku një tren është përplasur me një autobus shkolle në komunën Buggenhout, në veri të vendit, duke shkaktuar të paktën katër viktima dhe disa të plagosur rëndë.
Sipas mediave belge, autobusi po transportonte nxënës të arsimit special, ndërsa në mesin e viktimave raportohet se janë edhe dy fëmijë. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur rëndë pesë të mitur të tjerë, të cilët janë dërguar për trajtim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur autobusi hyri në kalimin hekurudhor në momentin që barrierat ishin të ulura dhe sinjalizimi i kuq ishte aktiv. Drejtuesi i trenit ka tentuar frenimin emergjent, por nuk ka arritur të shmangë përplasjen.
Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa ministri i Transportit, Jean-Luc Crucke, konfirmoi se kalimi hekurudhor ishte i mbyllur në momentin e përplasjes.
Për ngjarjen tragjike kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë belgë dhe europianë, të cilët kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me të plagosurit.

