
ALDE-ja: Vetëvendosja humbi shumicën absolute, tash PDK-ja është në pozitë të rëndësishme
Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE) ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë hapur një fazë të re politike, me rikthimin e nevojës për koalicione.
Në një reagim, ALDE-ja ka theksuar se Kosova mbajti zgjedhjet e treta brenda 16 muajsh, pas dështimit të partive për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, PDK-ja, anëtare e ALDE-së, siguroi 21.74 për qind të votave dhe “ka ruajtur një bazë stabile të elektoratit”.
ALDE-ja ka vlerësuar se humbja e shumicës absolute nga Vetëvendosje e vendos PDK-në në një pozitë të rëndësishme për negociatat e koalicionit.
“Kjo krijon mundësi që liberalët të ndihmojnë në formësimin e qeverisë së ardhshme dhe të vazhdojnë të mbështesin një të ardhme demokratike dhe evropiane për Kosovën”, është thënë në deklaratë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, citohet të ketë thënë se “qytetarët e Kosovës dëshmuan besim në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit”.

