Kompany thotë se Bayern është gati ta bëjë përmbysjen e PSG

Kompany thotë se Bayern është gati ta bëjë përmbysjen e PSG

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka deklaruar se skuadra e tij është e gatshme për një mbrëmje të madhe në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Champions League ndaj Paris Saint-Germain.

Bayern do të synojë përmbysjen pas humbjes dramatike 5-4 në ndeshjen e parë, në një duel që është zhvilluar në Paris. Gjermanët kanë ende shpresa të mëdha për të siguruar një vend në finale, ndërsa ndeshja kthyese luhet në Munich.

Kompany ka thënë se ekziston një besim i madh brenda skuadrës dhe te tifozët se mund të arrihet kualifikimi.

“Ekziston një ndjenjë se së bashku mund t’i bëjmë hapat e radhës. Pak kush e besonte në fillim të sezonit se do të kishim mundësinë të luftonim për finalen në ndeshjen e fundit në shtëpi. Tani jemi këtu dhe duam ta bëjmë këtë moment të paharrueshëm”, ka deklaruar ai.

Trajneri belg ka theksuar se qetësia është çelësi para një ndeshje kaq të rëndësishme, duke shtuar se skuadra duhet të përqendrohet te detajet dhe ta ruajë balancën.

“Qetësi totale, qetësi e brendshme. Duhet të përgatisim gjithçka si duhet dhe të gjejmë fjalët e duhura për ekipin. Diferenca ndonjëherë vendoset nga detajet e vogla”, është shprehur Kompany.

Ai ka bërë të ditur se objektivi i vetëm i Bayern është fitorja në këtë ndeshje, duke shtuar se skuadra ka ide të qarta për ta arritur këtë.

Ndërkohë, trajneri i Bayernit u ka bërë thirrje tifozëve që të krijojnë një atmosferë të zjarrtë në stadium, duke kërkuar mbështetje maksimale për ekipin në këtë sfidë vendimtare.

Share This