
Mourinho pas fitores ndaj Interit: Ndeshje e çmendur, mund të përfundonte 7-6
José Mourinho pranon se humbja 2-1 e Interit ndaj Real Madridit ishte “një ndeshje e çmendur” në Ligën e Kampionëve.
Ai mezi pret përballjen me Romën, por u rikthye te Real Madridi sepse “nëse është e vështirë, thërret Josén”.
“Los Blancos” hynë në këtë ndeshje hapëse të Championsit me probleme serioze, pasi Bernardo Silva, Arda Güler dhe Eduardo Camavinga ishin të pezulluar, ndërsa Eder Militão, Ferland Mendy, Raúl Asencio dhe Rodrygo ishin të dëmtuar.
Përveç tyre, Aurélien Tchouaméni, Endrick dhe Thiago Pitarch nuk ishin plotësisht të gatshëm.
Megjithatë, ata ishin klinikë kur shfrytëzuan dy gabime të dukshme të Interit në 25 minutat e para.
Kylian Mbappé u nis i vetëm pas një pasimi të gabuar të Curtis Jones, ndërsa Federico Valverde turpëroi Josep Martínez, i cili tentoi të driblonte brenda zonës së tij të vogël.
“Më pëlqeu rezultati, tre pikë në ndeshjen hapëse ndaj një skuadre shumë të fortë, por ndeshja ishte spektakolare për këdo që e shikonte nga shtëpia, vetëm jo për mua apo Cristian Chivun”, tha Mourinho për “Sky Sport Italia”.
“Kjo ndeshje ishte e çmendur. Mund të kishte përfunduar 5-0 për ne, 5-5, 7-6, 5-6, një ndeshje me kaq shumë raste. Interi është i fortë, ishte e vështirë për ne që, me mesfushën tonë, t’i mbyllnim hapësirat duke qëndruar thellë, megjithatë mund ta kishim mbyllur ndeshjen në 3-0 para pushimi”, shtoi ai.
“Patëm edhe një rast me Bellinghamin, ndërsa Interi mund të kishte shënuar disa gola gjithashtu. Ishte e hapur deri në fund, thjesht një ndeshje e çmendur futbolli”, vazhdoi Mourinho tutje.
Kishte disa vërshëllima nga tifozët ndaj Mbappés, i cili është akuzuar se është shumë egoist dhe se nuk i ndihmon mjaftueshëm shokët e skuadrës.
“Mbappé punoi shumë, shënoi një gol të rëndësishëm, pati dy ose tri raste që zakonisht i shndërron në gola, por nuk jam i shqetësuar, sepse ai do të shënojë gjithmonë. Me siguri do të jetë sërish golashënuesi më i mirë i Championsit këtë sezon dhe ai punon shumë për ekipin, kështu që nuk mund të isha më i kënaqur”, tha ai.
Kjo ishte një ribashkim i veçantë për Mourinhon dhe Chivun, i cili ishte mbrojtësi i tij kur Interi fitoi tripletën në vitin 2010. Por çfarë i thanë ata njëri-tjetrit?
“U përqafuam para ndeshjes, u përqafuam edhe pas saj. Ai e di se çfarë ndiej unë për të dhe unë e di se çfarë ndien ai për mua. Gjatë 90 minutave harron gjithçka, por tani, nëse kemi mundësi të takohemi, do të flasim”, bëri me dije Mourinho.
Ndeshja e ardhshme do të jetë gjithashtu një ribashkim për Mourinhon, i cili do të udhëtojë në Champions në “Stadio Olimpico” për t’u përballur me Romën, skuadrën që e shkarkoi.
“Sezonin e kaluar ishte Chelsea dhe një tjetër prej ish-klubeve të mia, ndodh. Nuk mund ta fsheh, Roma në Romë, do të jetë hera ime e parë që rikthehem atje. Sigurisht që do të jetë emocionale, por vetëm para dhe pas ndeshjes. Gjatë saj, do të kem ‘perde’ para syve”, tha ai, shkruan Express.
Mourinho u pyet pse presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ishte kaq i vendosur për ta rikthyer atë dhe u përgjigj me një prej shprehjeve të tij klasike.
“Sepse situata ishte e vështirë. Nëse është e lehtë, nuk është për mua. Nëse është e vështirë, thërrisni Josén”, e mbylli ai.

