
Kaja Kallas: BE të mbyllë të gjitha boshllëqet që lejojnë Rusinë të marrë materiale për prodhimin e armëve
Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka deklaruar se BE duhet të mbyllë menjëherë të gjitha boshllëqet që i mundësojnë Rusisë të sigurojë materiale të nevojshme për prodhimin e armëve që përdor në luftën kundër Ukrainës.
Në një konferencë shtypi në Dublin, së bashku me ministren e Jashtme irlandeze Helen McEntee, Kallas theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të synojë të ardhurat dhe burimet e Rusisë për të financuar dhe mbajtur luftën.
“BE-ja do të vazhdojë të godasë të ardhurat ruse për të detyruar Moskën ta ndalë këtë luftë. Por ne duhet t’i privojmë Rusinë jo vetëm nga paratë, por edhe nga burimet e nevojshme për të financuar dhe zhvilluar këtë luftë”, deklaroi Kallas.
Ajo përmendi raportet sipas të cilave kompani të sanksionuara ruse të mbrojtjes po përfitonin nga sasi të mëdha alumina të furnizuara nga Irlanda. Alumina aktualisht nuk është e sanksionuar nga BE-ja.
“Siç tha ministrja, hetimet për këto akuza janë në vazhdim. Evropa duhet të mbyllë të gjitha boshllëqet, të forcojë zbatimin e sanksioneve dhe të sigurojë që angazhimet tona të mbështeten me veprime konkrete. Asnjë produkt evropian nuk duhet të përfundojë në dronët dhe raketat që vrasin civilë ukrainas”, theksoi Kallas.
Për sa i përket hetimit në fabrikën Aughinish Alumina, Kallas tha se është e rëndësishme që BE-ja të vendosë të gjitha faktet dhe shprehu besim te qeveria irlandeze për kryerjen e hetimit.
Në pyetjen se pse Alumina nuk u përfshi në paketën e 21-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Kallas u përgjigj se ky rast tregon nevojën për një shqyrtim të mëtejshëm, në mënyrë që Rusia të mos ketë akses në materiale strategjike si metale, produkte nafte apo burime të tjera.
“Duhet të jemi krijues në hartimin e sanksioneve të ardhshme. Qëllimi ynë është që kjo luftë të marrë fund, dhe ajo do të marrë fund kur agresori të mbarojë ose paratë ose materialet për ta vazhduar atë”, theksoi ajo, duke nënvizuar se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të bien dakord për masat e sanksioneve.
Më herët, Helen McEntee konfirmoi se Irlanda po heton eksportet nga Aughinish Alumina, e cila furnizon aluminë për Rusinë.
Alumina përdoret në prodhimin e aluminit, material kyç për industrinë e mbrojtjes ruse. Ndërsa eksportet e aluminit drejt Rusisë janë të ndaluara, vetë alumina ende nuk është nën ndalim nga sanksionet e BE-së. /rtsh/

