
Izraeli miraton planin për pushtimin e Gazës, ndërkombëtarët: Katastrofike! Spastrim etnik i palestinezëve
Plani i qeverisë izraelite për të pushtuar në shkallë të gjerë dhe për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës është pritur me kritika të forta nga liderë botërorë, opozita izraelite dhe organizata palestineze.
Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti vendimin “të gabuar” dhe kërkoi rishqyrtim të menjëhershëm, duke theksuar se ai do të sillte më shumë gjakderdhje dhe nuk do të ndihmonte në lirimin e pengjeve. Ai bëri thirrje për një armëpushim, rritje të ndihmës humanitare dhe një zgjidhje të negociuar me dy shtete.
“Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti ose për të ndihmuar në sigurimin e lirimit të pengjeve. Ai vetëm sa do të sjellë më shumë gjakderdhje. Ajo që na duhet është një armëpushim, një rritje e ndihmës humanitare, lirimi i të gjithë pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar. Hamasi nuk mund të luajë asnjë rol në të ardhmen e Gazës dhe duhet të largohet, si dhe të çarmatoset. Mbretëria e Bashkuar po punonte për një plan afatgjatë me aleatët e saj për të siguruar paqen “si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete, por pa angazhimin e të dyja palëve me mirëbesim në negociata, kjo perspektivë po zhduket para syve tanë. Mesazhi ynë është i qartë: një zgjidhje diplomatike është e mundur, por të dyja palët duhet të largohen nga rruga e shkatërrimit”, tha Starmer.
Në Izrael, lideri i opozitës Yair Lapid paralajmëroi se plani do të ishte “një katastrofë”, në kundërshtim me qëndrimin e ushtrisë dhe të establishmentit të mbrojtjes, duke rrezikuar jetën e pengjeve dhe të ushtarëve.
“Plani është krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e ushtrisë dhe të establishmentit të mbrojtjes, pa marrë në konsideratë lodhjen dhe rraskapitjen e trupave luftarake”, tha Lapid.
Shefi i shtabit izraelit Eyal Zamir gjithashtu shprehu kundërshtimin e tij, ndërsa ushtria paralajmëroi se 20 pengje të mbetura mund të jenë në rrezik. Nga ana palestineze, politikani Mustafa Barghouti e quajti vendimin “krim lufte” dhe “spastrimi etnik” i popullit palestinez në Rripin e Gazës.
Edhe Australia, përmes ministres së Jashtme Penny Wong, i bëri thirrje Izraelit të tërhiqej, duke theksuar se zhvendosja e përhershme me forcë është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. /rtsh/


