
Kurti për Sunny Hill Festival: Shijoni muzikën dhe gjithçka që Prishtina e Kosova kanë për të ofruar
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar pjesëmarrësit e edicionit më të ri të Sunny Hill Festival, i cili ka nisur në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
Përmes një postimi në platformën X, Kurti theksoi se festivali, i organizuar nga artistja me famë botërore Dua Lipa, është shndërruar në një ngjarje që promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Ai rikujtoi se vetëm gjatë edicionit të kaluar, Sunny Hill Festival mirëpriti mbi 100 mijë vizitorë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin kulturor dhe turistik të Kosovës.
“Me fillimin e festivalit sot, u urojmë të gjithëve një përvojë të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Shijoni muzikën, atmosferën dhe gjithçka që Prishtina dhe Kosova kanë për të ofruar”, ka shkruar Kurti.
Sunny Hill Festival është një nga festivalet më të mëdha muzikore në rajon, i njohur për pjesëmarrjen e artistëve të njohur ndërkombëtarë dhe për numrin e madh të vizitorëve që çdo vit vijnë në Prishtinë nga vende të ndryshme të botës.

