
Trump: Arritja e një marrëveshjeje tani varet nga Zelensky
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se tanimë i takon presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump tha se së shpejti do të caktohet një takim midis presidentit ukrainas, Zelensky dhe atij rus, Putin.
Trump i bëri këto komente gjatë një interviste për Fox News pas takimit me Putinin në Alaskë.
“Duhet të bëhet një marrëveshje. Po. Shikoni, Rusia është një fuqi shumë e madhe, dhe ata nuk janë. Tani i takon Presidentit Zelensky ta përfundojë këtë. Ata do të caktojnë një takim tani midis Presidentit Zelensky, Presidentit Putin dhe meje, mendoj”, tha ai.
Gjatë intervistës, Trump nuk pranoi të jepte detaje mbi çështjet e fundit që po pengojnë një marrëveshje, duke thënë vetëm se dëshiron “të shohë se çfarë mund të bëjmë”.
Por, pavarësisht se nuk arritëm një marrëveshje, ai e cilësoi samitin si një sukses.
“Dua të sigurohem që kjo të përfundojë. Dhe kemi një shans mjaft të mirë për ta përfunduar”, shtoi ai.
Zelenski nuk u ftua në samitin Trump-Putin të së premtes. Ai u takua me udhëheqës evropianë në ditët para takimit dhe zhvilloi një takim virtual me Trump të mërkurën. Në të, ai e paralajmëroi Trump se Putin dëshiron paqe si një mënyrë për të marrë lëshime territoriale.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, nuk dolën me një marrëveshje nga samiti i Alaskës, por të dy liderët theksuan se është bërë përparim në bisedimet për arritjen e paqes në Ukrainë./CNN

