
Qeveria në detyrë ndan 1.4 milion euro për Pakon e Ringjalljes Ekonomike
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 31-të në mënyrë elektronike, ku ka miratuar Raportin Gjashtëmujor Financiar të Buxhetit për vitin 2026, ka ndarë 1.4 milion euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, si dhe ka miratuar ndryshime në Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0.
Në njoftim bëhet e ditur se Qeveria ka miratuar Raportin Gjashtëmujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Ky raport përmban një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Gjatë kësaj periudhe, pranimet ishin në shumë prej 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërsa shpenzimet arritën në 1 miliard e 777.50 milionë euro.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 1.4 milion euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, raporton rtk.
Në mbledhje janë ndarë edhe 21 mijë euro për realizimin e shfaqjes “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.
Gjithashtu, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 08/20, të datës 22 maj 2026, për miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

