
Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit, akuzon SHBA-në për `pirateri`
Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, pasi Irani ka njoftuar mbylljen e sërishme të Ngushticës së Hormuzit, duke përshkallëzuar përplasjen me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, sinjale të përziera vijnë nga fronti diplomatik, ku përpjekjet për negociata vazhdojnë, me Pakistanin që shfaqet si ndërmjetës kyç mes palëve.
Ushtria e Iranit ka mbyllur sërish Ngushticën strategjike të Hormuzit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane. Agjencia Fars duke cituar një komunikatë të Gardës Revolucionare, njofton se ngushtica është rikthyer në “gjendjen e mëparshme” dhe tashmë kontrollohet plotësisht nga forcat e armatosura iraniane.
Në deklaratë, Garda Islamike Revolucionare akuzon Shtetet e Bashkuara për ‘pirateri’, duke e cilësuar bllokadën detare si një akt grabitjeje. Teherani kishte paralajmëruar më herët se do të ndërmerrte këtë hap nëse vazhdonte presioni amerikan ndaj porteve të tij.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se situata në rajon “po shkon mjaft mirë”, duke bërë të ditur se negociatat me Iranin mund të zhvillohen gjatë fundjavës. Ai shtoi se ka “disa lajme të mira”, pa dhënë detaje, por theksoi se bllokada ndaj porteve iraniane do të vazhdojë derisa një marrëveshje të jetë “100% e përfunduar”.
Në zhvillime të tjera, agjencia e lajmeve IRNA njofton se Irani ka rihapur pjesërisht hapësirën ajrore për fluturimet ndërkombëtare. Autoritetet e aviacionit kanë konfirmuar se korridoret ajrore mbi pjesën lindore të vendit janë tashmë funksionale, pas mbylljes që prej 28 shkurtit, kur nisën sulmet nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike vijojnë. Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, ka përfunduar një vizitë treditore në Iran, ku u takua me presidentin Masoud Pezeshkian dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Bisedimet janë fokusuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas ushtrisë pakistaneze, vizita synon forcimin e marrëdhënieve “historike dhe vëllazërore” mes dy vendeve dhe mbështetjen për një zgjidhje të negociuar të konfliktit. Pakistani po shfaqet gjithnjë e më shumë si një urë diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit, përpara raundit të ardhshëm të bisedimeve që pritet të zhvillohet së shpejti. /rtk/


