Macron: Nuk ka vend për dhunë, vandalët do të ndëshkohen

Macron: Nuk ka vend për dhunë, vandalët do të ndëshkohen

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi sot në mbrëmje se personat që kanë shkaktuar dëme dhe kanë kryer grabitje gjatë protestave do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen.

“Nuk ka vend për dhunën në Republikën tonë. Ata që kanë shkatërruar, sulmuar prefekturat dhe bizneset, si dhe kanë plaçkitur deri edhe bashkitë tona, do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, shkroi Macron në rrjetin social X.

Ai theksoi se vendi duhet të bashkohet përballë atyre që, sipas tij, synojnë të krijojnë kaos dhe të rrëzojnë institucionet, duke penguar qytetarët të shprehin në mënyrë paqësore kërkesat e tyre.

Macron shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për forcat e rendit, të cilat i cilësoi si garantuese të së drejtës për të protestuar.

Edhe kryeministri francez, Sébastien Lecornu, shprehu sot mbështetjen e plotë për forcat e rendit, të cilat, sipas tij, u përballën me dhunë me intensitet të jashtëzakonshëm gjatë protestave të 17 tetorit.

Lecornu paralajmëroi gjithashtu kundër përpjekjeve për t’i përdorur incidentet e dhunshme gjatë protestave si një “nxehje paraprake” përpara zgjedhjeve presidenciale.

“Ne nuk do të lejojmë të frikësohemi dhe askush nuk do të imponojë agjendën e tij politike përmes dhunës”, deklaroi kryeministri francez.

Deklaratat e tij u interpretuan si një referencë ndaj partisë së së majtës radikale, ”La France insoumise” (LFI), dhe liderit të saj, Jean-Luc Mélenchon, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. /atsh/

Share This