
Enver Hoxhaj: Politika e jashtme e Kosovës është e humbur mes dy rendesh botërore
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në International Strategy Forum, që është mbajtur në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 40 vende të botës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka ndarë përvojën e tij mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe vendosjen e saj në skenën ndërkombëtare, përmes njohjeve diplomatike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, ai ka theksuar se Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i suksesit në shtetndërtim, por ka paralajmëruar se rendi ndërkombëtar që dikur e mundësoi pavarësinë e saj “nuk ekziston më”.
“Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i shtetndërtimit, por rendi ndërkombëtar që mundësoi lindjen e shtetit të Kosovës nuk ekziston më dhe rendi i ri, në të cilin do të integrohet Kosova, nuk ka lindur ende,” ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës po kalon në një periudhë paqartësie, duke mos pasur më qëllime strategjike të qarta në raport me zhvillimet globale.
“Ndërsa ne kemi përfituar nga rendi liberal në të kaluarën, sot, duke jetuar mes dy rendesh botërore, politika e jashtme e Kosovës është e humbur në botën e re, duke bërë që edhe shteti më i ri të mos ndjekë më as qëllime strategjike dhe as një ide themelore se si t’i përmbushë pritjet e tij dhe t’i mbrojë interesat e tij, në një botë të pasigurt deri në Ballkan dhe Evropë,” ka shtuar ai.
Forum ndërkombëtar me 40 shtete
Ngjarja ku mori pjesë Hoxhaj ka mbledhur diplomatë, përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të politikës globale nga katër kontinente, duke shërbyer si platformë për diskutimin e sfidave të reja të rendit ndërkombëtar dhe rolit të shteteve të vogla si Kosova.


