
Reagon edhe Kongresisti Aderholt për protestat në Shqipëri: Dhuna duhet të refuzohet nga të gjitha palët
Kongresisti republikan, Robert Aderholt, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke thënë se të gjitha palët duhet që ta ‘’refuzojnë dhunën’’, ndërsa qeveria duhet që t’i respektojë të drejtat e ‘’protestuesve paqësorë’’.
Kongresisti amerikan, ka shtuar edhe se, të rinjtë shqiptarë e meritojnë që të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit, përcjell Express.
‘’Jam thellësisht i shqetësuar për trazirat në përshkallëzim në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit’’, ka shkruar ai.

