
Hoti: Pasaktësitë në ekspozitë rrezikojnë të shtrembërojnë të vërtetën
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar lidhur me ekspozitën e hapur në sheshin e Prishtinës për masakrat në Kosovë, duke e cilësuar të papranueshëm ekspozimin e materialeve me pasaktësi.
Sipas tij, në ekspozitë paraqiten të dhëna të pasakta për Masakrën e Dubravës, ku thuhet se janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur, gjë që Hoti e ka vlerësuar si cenim të së vërtetës historike.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për pasaktësi në paraqitjen e Masakrës së Krushës së Madhe, duke theksuar se aty, përveç numrit të viktimave, paraqitet një narrativë e pavërtetë sipas së cilës gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë, gjë që sipas tij nuk qëndron.
Hoti ka theksuar se këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.
Ai ka bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të materialeve me pasaktësi, si dhe për verifikim të plotë institucional të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.


