
Hekuran Murati reagon ndaj kritikave të opozitës: “Kur thonë se na ka izoluar Qeveria Kurti, mjafton të kujtojmë kohën kur duheshin 6 muaj për vizë”
Ministri në detyre i Ekonomisë dhe Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të opozitës se “Qeveria Kurti e ka izoluar vendin”.
Përmes një postimi, ai ka krahasuar situatën aktuale me periudhën kur qytetarët e Kosovës duhej të kalonin procedura të gjata dhe të kushtueshme për të udhëtuar jashtë vendit.
Murati ironizoi akuzat e opozitës duke theksuar se në kohën kur qeverisnin partitë e mëparshme, qytetarëve u duhej të aplikonin për vizë gjashtë muaj më herët, të përgatisnin një sërë dokumentesh dhe të shpenzonin 200–300 euro vetëm për të realizuar një vizitë njëjavore te familjarët në diasporë.
Ai shtoi se me liberalizimin e vizave, situata ka ndryshuar tërësisht.
“Tash ‘të izoluar me Qeverinë Kurti’ paradite e blen biletën, masdite i hyp aeroplanit. Madje shpeshherë bileta kushton më lirë sesa dokumentet që dikur duhej t’i përgatisje për vizë”, u shpreh Murati.
Deklarata e ministrit vjen në kohën kur opozita po intensifikon kritikat ndaj qeverisë për, siç thonë ata, rritje të izolimit politik dhe diplomatik të Kosovës.
Ndërkohë, Murati thekson se realiteti i udhëtimit të lirë në zonën Schengen është dëshmia më e qartë e të kundërtës.


