
Haxhiu: Kur bota po hezitonte të vepronte, Engel ngriti zërin për Kosovën
Me një minutë heshte ka nisur seanca përkujtuese në Kuvendin e Kosovës për kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill.
Në fjalën e saj para deputetëve e mysafirëve në sallën plenare, kryetarja e Kuvendit të Republikës, Albulena Haxhiu, tha se sot po kujtohet e nderohet njeriu që la gjurmë të pashlyeshme ne historinë e Kosovës.
“Sot nderojmë e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejt amerikan i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë me shumë kongresistë dhe senatorë tjerë amerikan, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, deklaroi Haxhiu.
Tutje, kryekuvendarja tha se, Engel, i përkiste një brezi politikanësh që e kuptonin shërbimin publik si detyrë morale dhe jo si privilegj.
“Për 32 vite , 16 mandate me radhë ai shërbeu me ndershmëri dhe vendosmëri në Kongresin Amerikan. E drejtoi Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike, ai nuk rreshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtyte të larta njerëzore të një politikani të rrallë e të një njeriu të madh. Në vitet e errëta kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit, e bota ende po hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se kur ke miq si Eliot Engel, hapja e dyerve të botës është e mundshme dhe është historike.
“Ndërmjet Kosovës e SHBA shtrihen oqeane e mijëra kilometra. Në hartë jemi larg, në madhësi dhe në fuqi jemi të pakrahasueshëm, por në jetën e kombeve të shtypura largësia më e madhe është qëndrimi larg vëmendjes dhe vendimmarrjes. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste, ato dyer mbeten të mbyllura, derisa të bëhet vonë, rajoni jonë e njeh mirë këtë pritje. Por, kur ke miq si, Eliot Engel, hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, tha ajo. /rtk/


