
Haradinaj fton qytetarët në protestën e 7 gushtit: Padrejtësia ndaj liderëve të UÇK-së bazohet në provat e aparaturës së Millosheviqit
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë thirrje publike për qytetarët që të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 7 gusht, kundër, siç e cilëson ai, padrejtësive të vazhdueshme ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Përmes një video-mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj theksoi se bashkëluftëtarët e tij po përballen me një proces të padrejtë tash e pesë vite me radhë, i cili sipas tij mbështetet mbi prova të siguruara nga aparatura e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Është momenti që të jemi bashkë me datën 7 në ora 17:00 në shesh për të ju dhanë mbështetje bashkëluftëtareve tanë, të cilët po gjykohen tash e 5 vite padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Është koha të jemi bashkë dhe të ju themi jo këtyre padrejtësive, të cilat bazohen mbi provat dhe argumentet e aparaturës më famkeqe të shekullit të kaluar, Millosheviqit”, deklaroi Haradinaj.
Ai apeloi për pjesëmarrje masive, duke e konsideruar këtë si një detyrim moral për të gjithë ata që besojnë në luftën çlirimtare dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 7 gusht, duke filluar nga ora 17:00.


