Oda Amerikane mirëpret heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane

Oda Amerikane mirëpret heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj të gjitha produkteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.

Në një njoftim zyrtar, Oda thekson se vendimi është një reflektim i qartë i vullnetit për të avancuar bashkëpunimin me partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik të Kosovës – SHBA-në. Gjithashtu, ky veprim shihet si një përgjigje pozitive ndaj thirrjes së mëhershme të Odës për vendosjen e një qasjeje të njëanshme preferenciale ndaj mallrave amerikane.

“Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese,” thuhet në njoftim.

Oda vlerëson se kjo masë do të nxisë rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorë strategjikë, duke sjellë përfitime të ndërsjella për ekonominë e të dy vendeve.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.”

Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përgëzuar Qeverinë për këtë vendim dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë për të promovuar mundësitë e reja tregtare që ky hap do të mundësojë në të ardhmen.

Share This