Haradinaj: E dhimbshme që Kurti sulmon Gjykatën Kushtetuese – “Hajni bërtet kapeni hajnin!”

Haradinaj: E dhimbshme që Kurti sulmon Gjykatën Kushtetuese – “Hajni bërtet kapeni hajnin!”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka kritikuar Kurtin për, siç thotë ai, mosnjohjen dhe sulmin e ulët ndaj institucionit më të lartë të drejtësisë në vend.

“E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses. Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur ‘hajni bërtet kapeni hajnin!’”, ka shkruar Haradinaj.

Ai shtoi se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Kosovës dhe jo nga “formacionet imagjinare” të Albin Kurtit.

Sipas Haradinajt, përgjegjës për bllokimin e institucioneve dhe të shtetit është vetëm një person.

“E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër – dhe ky është Albin Kurti. Kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt.”

Në fund, Haradinaj i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që përveç konstatimeve për shkelje të Kushtetutës, të përcaktojë edhe pasojat juridike ndaj individëve apo grupeve që i bëjnë ato.

“Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në interpretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato! Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”, përfundoi Haradinaj.

Share This