Haradinaj: Anëtarësimi në BE dhe NATO, prioritet i Qeverisë së ardhshme të AAK-së

Haradinaj: Anëtarësimi në BE dhe NATO, prioritet i Qeverisë së ardhshme të AAK-së

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në rast se vjen në krye të qeverisë, prioriteti kryesor i tij do të jetë anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Haradinaj ka theksuar se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në izolim dhe sanksione, por në integrimin e plotë në Perëndim dhe në botën demokratike.

“E ardhmja e Kosovës nuk është në izolim e sanksione, është qartë në Perëndim bashkë me botën demokratike. Në Qeverinë e ardhshme Haradinaj, Kosova ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO,” ka shkruar Haradinaj.

Duke folur për përfitimet nga anëtarësimi në NATO, Haradinaj ka renditur disa nga aspektet kryesore, duke theksuar se Kosova do të përfitonte siguri të përhershme dhe paqe afatgjatë, ushtri profesionale të pajisur sipas standardeve më të larta, si dhe mbrojtje të garantuar nga çdo kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

Sipas tij, anëtarësimi në NATO do të sillte gjithashtu partneritet të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të fuqishme të botës, stabilitet politik, besueshmëri ndërkombëtare dhe rritje të rolit të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale.

Haradinaj ka renditur edhe përfitimet që, sipas tij, Kosova do t’i kishte nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ai ka theksuar se integrimi evropian do të mundësonte qasje në një treg shumë më të madh për prodhimet dhe shërbimet vendore, investime të huaja direkte dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Po ashtu, Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi në BE do të sillte fonde zhvillimore për bujqësi, infrastrukturë dhe arsim, drejtësi funksionale, institucione të forta dhe sundim të ligjit, si dhe standard më të lartë jetese dhe mbrojtje më të madhe sociale për qytetarët.

Në fund, ai ka theksuar se integrimi në BE do të krijonte mundësi më të mëdha për lëvizje të lirë, studim dhe punësim në vendet evropiane, duke u ofruar të rinjve një perspektivë të sigurt brenda vendit, pa nevojë për emigrim.

Share This