
Albion Rrahmani në ‘radarin’ e gjigantit anglez
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, mund ta vazhdojë karrierën në Premier League angleze.
Mediumet angleze kanë raportuar të martën se West Ham United po e konsideron transferimin e Rrahmanit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Rrahmani është ndër emrat më të përfolur që mund t’i bashkohet skuadrës londineze, megjithatë deri më tani West Hami nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete për ta blerë sulmuesin kosovar.
West Ham aktualisht ka në përbërje Callum Wilson si sulmues kryesor, por trajneri Nuno Espírito Santo nuk i ka dhënë hapësirë të madhe në tri ndeshjet e fundit, çka ka nxitur spekulimet për përforcime në repartin ofensiv.
25-vjeçari Rrahmani është pjesë e klubit çek Sparta Pragë, me të cilin po kalon një sezon pozitiv. Në këtë edicion ai ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 12 gola dhe dy asistime.
Në total, me fanellën e Spartës, Rrahmani ka regjistruar 22 gola dhe katër asistime në 66 paraqitje.
Sulmuesi i qendrës u transferua te Sparta Pragë vitin e kaluar nga Rapid Bukureshti për 5 milionë euro.
Ndërkaq, në vitin 2023 ai kishte kaluar te Rapidi nga Ballkani i Suharekës, klub me të cilin u afirmua në futbollin kosovar.


