
Lushaku: LDK nuk merr pjesë në seancë pa emër konsensual për president
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK, Jehona Lushaku, ka deklaruar se partia e saj nuk do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, për aq kohë sa nuk ka një emër konsensual dhe pa një marrëveshje politike.
“Për aq kohë sa emrat nuk janë konsensualë dhe nuk janë dakorduar me një marrëveshje politike, ne nuk marrim pjesë”, tha ajo gjatë një konference për media.
Lushaku u tregua e rezervuar edhe kur u pyet nëse LDK do ta kandidonte Vjosa Osmanin për presidente. Ajo theksoi se partia do të kishte kandidatin e saj vetëm po të kishte më shumë deputetë dhe shtoi se, me 66 deputetët e tjerë, ata mund të paraqesin dy kandidatë të ndryshëm.
Tutje, Lushaku tha se në takimet mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit Albin Kurti, nuk janë diskutuar emra të veçantë.
“Emra të përveçëm nuk janë diskutuar, për aq sa jam informuar, dhe nuk dua të jap hipotetikisht situata. Ne do ta shqyrtojmë kandidaturën dhe do të marrim qëndrim për sjelljen tonë brenda seancës, por pa emra zyrtarë nuk mund të flasim më konkretisht”, shtoi ajo.


