
Abdixhiku nga Mitrovica: Qetësi, stabilitet dhe zhvillim ekonomik nën qeverisjen e LDK-së
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vazhduar fushatën zgjedhore në Mitrovicë, nga ku ka premtuar qetësi, stabilitet dhe zhvillim ekonomik për qytetin nën qeverisjen e tij.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se Mitrovica ka nevojë për politika serioze dhe institucione funksionale, duke u distancuar nga, siç tha ai, improvizimet dhe propaganda politike.
“Prandaj në Mitrovicë flasim seriozisht. Flasim për ekonomi reale, për investime kapitale, për mbështetje të familjeve dhe për institucione që nuk improvizojnë. Flasim për shpresë që ndërtohet me punë, jo me propagandë,” ka deklaruar Abdixhiku.
Në postimin e tij të plotë, lideri i LDK-së vlerëson se Mitrovica është qytet që “flet ndryshe”, me përmbajtje, peshë dhe përgjegjësi, duke shtuar se ky qytet ka paguar çmim të lartë nga mungesa e zhvillimit dhe politikat që e kanë lënë pas ndër vite.
Sipas Abdixhikut, familjet në Mitrovicë kanë nevojë për siguri ekonomike, vende të reja pune, pensione dinjitoze dhe për një shtet që funksionon njësoj për të gjithë qytetarët.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk premton zhurmë. Premton përgjegjësi. Jo fjalë të mëdha, por zgjidhje të domosdoshme,” thekson ai.

