Netanyahu konfirmon ndërprerjen e luftimeve me Iranin pas përshkallëzimit të fundit

Netanyahu konfirmon ndërprerjen e luftimeve me Iranin pas përshkallëzimit të fundit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi sot ndërprerjen e luftimeve me Iranin, pas përballjes së fundit ushtarake mes dy vendeve.

Në një videomesazh, Netanyahu deklaroi se Teherani ka ndalur sulmet, duke paralajmëruar se çdo agresion i ri nga ana e Iranit, do të përballet me një kundërpërgjigje të fuqishme nga Izraeli.

“Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten dhe ne e ushtrojmë atë kur është e nevojshme”, tha ai.

Kreu i qeverisë izraelite theksoi se Irani dhe lëvizja shiite libaneze “Hezbollah”, janë dobësuar ndjeshëm, ndërsa shtoi se përballja e Izraelit me këta aktorë, nuk ka përfunduar ende.

Sipas Netanyahut, gjatë 24 orëve të fundit, të dyja palët kishin tentuar të impononin një “ekuacion të ri” në rajon.

“Ata menduan se mund të godisnin Izraelin nga territori i Libanit dhe Iranit dhe se ne nuk do të përgjigjeshim”, deklaroi ai.

Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme, për herë të parë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në prill.

Irani lëshoi raketa drejt Izraelit dje në mbrëmje, ndërsa Izraeli reagoi me sulme hakmarrëse.

Më herët gjatë ditës së sotme, udhëheqja ushtarake iraniane njoftoi përfundimin e operacioneve kundër Izraelit.

Në një deklaratë të transmetuar nga radioja shtetërore, autoritetet ushtarake iraniane thanë se Republika Islamike kishte dhënë një përgjigje “të rëndë” ndaj Izraelit dhe shpallën ndërprerjen e veprimeve ushtarake.

Megjithatë, të dyja palët kanë paralajmëruar se do të reagojnë me forcë, në rast të sulmeve të reja, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve në rajon. /atsh/

Share This