Ekspozitë dokumentare dhe fotografike në 200-vjetorin e lindjes së Pashko Vasës

Ekspozitë dokumentare dhe fotografike në 200-vjetorin e lindjes së Pashko Vasës

Me rastin e 200-vjetorit të lindjes së ideatorit të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli në Shkodër një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare.

Në këtë aktivitet jubilar të zhvilluar në vendbanimin e Pashko Vasës, ekspozita e përgatitur me materiale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), paraqiti studime të rilindësit mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, korrespondencën e mbajtur për kauzën kombëtare apo për çështje vetjake, si edhe vjersha me motive patriotike.

Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë: studimi historik i Pashko Vasës me titull “Shqipëria e shqiptarët”, përkthyer në italisht nga Milo Shini (Terenc Toçi) në vitin 1916; vjersha e Pashko Vasës “Si është sot Shqypnia” (O moj Shqypni) botuar në një antologji (shkruar nga Vaso Pasha në vitet 1878-1880); kërkesë e Said Leon Vassa, i biri i Pashko Vasës, e bërë në Legatën e Shqipërisë në Paris, lidhur me marrjen e nënshtetësisë shqiptare; vjersha “Albanus Albano”, shkruar nga Pashko Vasa në Adrianopojë në vitin 1881; vjersha “Au printemps” (Pranvera) shkruar nga Pashko Vasa në Bejrut më 13 prill 1884; letra të Pashko Vasës drejtuar të vëllait në Shkodër për çështje personale.

Në qendër të aktivitetit ishte konferenca shkencore që mblodhi studiues të historisë, të politikës, të letërsisë, të antropologjisë, të filozofisë dhe të besimeve fetare, të cilët shpalosën kontributin ndërdisiplinor të Pashko Vasës, në drejtim të unitetit të kombit. /atsh/

Share This