400 000 palestinezë largohen nga qyteti pas sulmeve izraelite

400 000 palestinezë largohen nga qyteti pas sulmeve izraelite

Përafërsisht 400 000 palestinezë deri më tani janë evakuuar nga Qyteti i Gazës në zona të tjera të Rripit, në një vlerësim të raportuar nga ”Times of Israel”, që vë në dukje se afërsisht një milion palestinezë banonin në qytet përpara se ushtria izraelite të fillonte ofensivën e saj të madhe në zonë.

Dje, kryeministri Benjamin Netanyahu raportoi se afërsisht 40% e banorëve të qytetit ishin larguar.

”Në ditët e fundit, ritmi i evakuimeve është rritur në dhjetëra mijëra njerëz në ditë”, sipas ushtrisë.

Ndërkohë, 17 persona, përfshirë shtatë në Qytetin e Gazës, janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur që nga agimi në bombardimet e vazhdueshme izraelite të Rripit të Gazës, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore.

Tre anëtarë të një familjeje thuhet se u vranë në një bastisje në një tendë për personat e zhvendosur, në zonën Mawasi të Khan Yunis, në Rripin jugor të Gazës.

”Një burrë, gruaja e tij shtatzënë dhe vajza e tyre u vranë në një bombardim të një shtëpie në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës”, shtoi Wafa.

Dy persona të tjerë u vranë në një sulm ndaj një shtëpie në lagjen Tal al-Hawa, në jug të qytetit të Gazës. /atsh/

Share This