
Ekitike në superformë, Liverpooli mposht Brightonin dhe ngjitet në vendin e gjashtë
Liverpooli ka regjistruar një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Brighton & Hove Albion, duke u ngjitur në vendin e gjashtë në tabelën e Premier League, shkruan Rekordi.net.
Protagonist absolut i ndeshjes ishte Hugo Ekitike, i cili realizoi të dy golat e takimit dhe konfirmoi formën e shkëlqyer.
Skuadra e Arne Slot e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Ekitike shënoi pas vetëm 46 sekondash lojë, duke përfituar nga një krosim i Joe Gomez dhe duke mposhtur portierin Bart Verbruggen. Pavarësisht goditjes së hershme, Brightoni reagoi dhe krijoi disa raste, me Yankuba Minteh që goditi pranë shtyllës dhe Diego Gómez që u ndal nga pritja e Alisson Becker.
Vëmendja para ndeshjes ishte e përqendruar te rikthimi i Mohamed Salahut, i cili e nisi takimin nga stoli. Ai u aktivizua në minutën e 26-të pas dëmtimit të Joe Gomez, duke u pritur me duartrokitje të mëdha nga tifozët. Salah pati menjëherë ndikim në lojë, duke qenë pjesë e disa aksioneve të rrezikshme.
Në pjesën e dytë, Brightoni pati një mundësi të artë për të barazuar, por Diego Gómez humbi një rast të pastër. Ky moment rezultoi vendimtar, pasi në minutën e 60-të Liverpooli dyfishoi epërsinë: pas një goditjeje këndi nga Salah, Ekitike shënoi me kokë golin e dytë personal dhe të shtatin këtë sezon në Premier League.
Pavarësisht përpjekjeve të Brightonit për të reaguar, me raste nga Kaoru Mitoma dhe Ferdi Kadioglu, rezultati nuk ndryshoi. Liverpooli administroi me qetësi minutat e fundit dhe siguroi fitoren, duke e zgjatur serinë pa humbje në pesë ndeshje në të gjitha garat (3 fitore, 2 barazime).
Me këtë sukses, “The Reds” konfirmojnë dominimin në përballjet shtëpiake ndaj Brightonit, duke pësuar vetëm një humbje në 12 ndeshjet e fundit në “Anfield” (8 fitore, 3 barazime). /Rekordi.net


