Drita dhe Shkëndija drejt derbit shqiptar në Ligën e Evropës

Drita dhe Shkëndija drejt derbit shqiptar në Ligën e Evropës

Kampionia e Kosovës, FC Drita, tashmë e ka të qartë rrugëtimin e saj të mundshëm në Evropë në rast se eliminohet nga Liga e Kampionëve.

Gjilanasit aktualisht ndodhen në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ku nesër do të përballen me gjigantin danez, FC Copenhagen.

Nëse bardhekaltërit nuk arrijnë të kalojnë pengesën daneze, ata do të vazhdojnë aventurën evropiane në raundin e tretë të Ligës së Evropës, sipas formatit të UEFA-s për ekipet e eliminuara nga Champions League.

Dhe tashmë, Drita ka mësuar edhe emrat e kundërshtarëve të mundshëm në këtë fazë. Në rast eliminimi nga Copenhagen, skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani do të përballet me humbësin e përballjes mes FCSB (Steaua Bukuresht) dhe Shkëndijës së Tetovës në raundin e tretë të Europa League.

Ky është një skenar që ruan gjallë ambiciet evropiane të Dritës, me mundësi reale për të vazhduar rrugëtimin ndërkombëtar edhe përtej sfidës me Copenhagenin.

Gjilanasit do të synojnë që të japin maksimumin ndaj kampionëve danezë, por në çdo rast mbeten me opsione konkrete për të shkruar më tej historinë në arenën evropiane.

Share This