
“Dosja Epstein” – “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, Norvegjia nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Jagland
Policia në Norvegji ka nisur një hetim të bujshëm për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të vendit Thorbjorn Jagland.
Ky skandal lidhet me dokumentet e reja të publikuara në Amerikë mbi financierin Jeffrey Epstein i cili u vetëvra në burg.
Njësia speciale kundër krimit ekonomik dyshon se 75-vjeçari është përfshirë në korrupsion të rënduar gjatë kohës që mbante poste të larta.
Policia tashmë i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Jashtme heqjen e imunitetit diplomatik për ish-zyrtarin e lartë.
Jagland ka shërbyer për dhjetë vite si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës dhe ka drejtuar Komitetin e Nobelit.
Emri i tij doli në dritë pas një emaili ku ai i shkruante Epstein-it për një vizitë në Tiranë dhe vajzat që kishte parë atje.
Kreu i njësisë hetimore Pal Lonseth u shpreh se ka baza të forta për të nisur këtë proces verifikimi. Hetuesit do të skanojnë çdo dhuratë, udhëtim apo hua që ish-kryeministri mund të ketë përfituar falë pozicionit të tij.
Ministri i Jashtëm norvegjez theksoi se është jetike që të gjitha faktet e kësaj historie të zbardhen sa më parë.
Nga ana tjetër avokati i Jagland ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe do të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai u shpreh i bindur se pas dorëzimit të dokumenteve vërtetësia do të dalë në shesh shumë shpejt.
Ky hetim ka tronditur opinionin publik në Norvegji pasi prek një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë europiane. /rtsh/


