
Punëtorët e “Trafikut Urban” paralajmërojnë grevë nga 13 shkurti
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar nisjen e një greve, e cila pritet të fillojë më 13 shkurt 2026, në rast se kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje nga institucionet kompetente.
Menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” Prishtinë ka bërë të ditur se ka pranuar një njoftim zyrtar për hyrje në grevë nga punonjësit. Sipas këtij dokumenti, nëse deri më 6 shkurt 2026 nuk ka reagim institucional lidhur me kërkesat e parashtruara, punëtorët do të hyjnë në grevë.
Njoftimi bazohet në nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në Ligjin për Grevat Nr. 03/L-200, i cili përcakton procedurat për organizimin e grevave në shërbime me interes të përgjithshëm. Në dokument theksohet se edhe paralajmërimi i mëhershëm, i bërë më 26 janar 2026, nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga organet përgjegjëse.
Punonjësit kanë bërë të ditur se greva do të zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me respektimin e minimumit të shërbimeve publike, në mënyrë që të mos cenohet siguria e qytetarëve dhe interesi publik.
Sipas njoftimit, ky paralajmërim konsiderohet si njoftim përfundimtar ligjor, ndërsa përgjegjësia për shmangien e grevës mbetet në duart e institucioneve kompetente.


